Teksa na ndajnë më pak se dy ditë nga zgjedhjet parlamentare, Erion Veliaj iu drejtohet qytetarëve shqiptarë me një thirrje nga qelia e Durrësit.
Veliaj iu kërkon qytetarëve të votojnë për Partinë Socialiste dhe Edi Ramën, që sipas tij, Shqipëria të ecë përpara.
Nga qelia e paraburgimit, Veliaj thekson se Tirana dhe e gjithë Shqipëria është transformuar gjatë qeverisjes socialiste.
“Ndihem krenar për Shqipërinë tonë që jo vetëm është transformuar në mënyrë dramatike, aq sa duket si një vend tjetër nga ai që kishim deri dje, por po ecën me një ritëm marramendës drejt Europës që kemi ëndërruar aq gjatë. Të dielën, kur të shkoni për të votuar, kur të merrni në dorë fletën e votimit e shihni aty listën e partive e kandidatëve, ndaluni një çast e kujtoni pak si ishte Tirana dhe si është sot. Kujtoni si ishte Shqipëria dhe çfarë është bërë. Kujtoni kush janë ata që e sollën këtë ndryshim dhe kush janë ata që duan ta kthejnë pas. Një votë për Saliun & Co do të thotë t’i vësh shkelmin çdo gjëje që kemi ndërtuar, të ardhmes europiane të fëmijëve tanë. Por nuk duhet të jetë frika nga ajo turmë zullumqare arsyeja për të bërë zgjedhjen e drejtë në 11 maj. Vota juaj në 11 maj nuk duhet të jetë një votë kundër Saliut apo partizave të dala nga barku i PD. Vota juaj duhet të jetë një votë për punën, për shpresën, për transformimin.Votoni Partinë Socialiste. Votoni Edi Ramën. Votoni Shqipërinë që ecën përpara“, shkruan Veliaj.
Be First to Comment